Al Capone: 50 fakte për jetën e perandorit të mafias

Pse është cilësuar si mafiozi më i madh i të gjithë kohërave, kush ishte, jeta e tij që nga fëmijëria deri në vdekje. Si e nisi rrugën si gangster dhe si doli në kopertinën e revistës “TIME”. Për Al Caponen janë thurur dhjetëra legjenda, janë xhiruar 4 filma dhe që do të mbahet mend edhe për thënien e famshme përpara gjykatësve: “Ju jeni klientët e mi. Por edhe për epitafin në varrin e vet: “Faleminderit Jezusi im!”.
Në historinë e mafies amerikane, shumë gangsterë kanë tërhequr vëmendjen e publikut e jo vetëm kaq, por shumë prej tyre kanë fituar edhe simpatinë e njerëzve. I tillë kanë qenë Al “Scareface” Capone. Ii fundmi i këtij lloj gangsteri që shpesh është konsideruar i tipit hollivudian ka qenë John Gotti, bosi i famshëm i familjes Gambino. Edhe pse gazetat kanë shkruajtur shpesh për bëmat e këtyre personave, vetëm dy prej tyre kanë pushtuar kopertinën e prestigjiozes “Time”. Al Capone dhe John Gotti, kanë dalë në kohëra të ndryshme, 1930 dhe 1986, në kopertinën e revistës “Time”, një reklamë e jashtëzakonshme që përbënte një sfidë ndaj shtetit dhe ky ishte gabimi i tyre, dalja nga heshtja, por në të njëjtën kohë ata kërkuan që, me arrogancën e tyre, të sillnin edhe një risi, publicitetin e një mafiozi. Megjithatë një gjë e tillë për dy mafiozë, që jo vetëm kryesonin dy ndër grupimet më të fuqishme të mafies, por ishin Al Capone dhe John Gotti, që tentuan të luanin macja dhe miu me sistemin e drejtësisë, duke e bërë këtë të fundit disa herë edhe qesharak në sytë e qytetarëve të thjeshtë. Publiciteti i njerëzve të tillë që kërkon të shfuqizojë ligjin është shumë i rrezikshëm për një shtet dhe njëkohësisht rezultoi i rrezikshëm edhe për mafien.
Pas daljes së Al Capones, më 24 Mars 1930 në kopertinën e revistës “Time”, morën fund edhe talljet e tij me shtetin. Më 1931, ai u burgos për evazion fiskal dhe kur pas gati tetë vjetësh doli nga burgu vuante nga sifilizi, por nuk vdiq prej kësaj sëmundje, megjithatë ai ishte i gjymtuar dhe nuk mund të pretendonte të merrej sërish me biznes. Ai vdiq në 25 janar 1947, nga pneumonia.
mri i pagëzimit ishte Alphonsus Capone, por gjithnjë u njoh si Al Capone. Edhe pse pati një famë të madhe si kryemafioz, nuk ishte Al Capone ai që i nisi trafiqet ilegale që e bënë botën e mafies të lëvizte me Rolls-Roice, por ai pati një rol shumë të madh në perfeksionimin e veprimtarisë mafioze. Siç e tregojnë, ai kishte aftësi të padiskutueshme organizative.
I lindur në Brooklyn më 17 Janar 1899, në një familje italiane, ai ishte një “djalë i mirë” deri në moshën 17 vjeç. Në këtë kohë, në dhomat e zhveshjes në pishinat e Greenpointit, ai godet me grushte dhe hedh poshtë një të panjohur. Vetë Capone mendoi se e vrau atë, ndaj një kushëri i tij, anëtar i një bande në Brooklyn, “Pesë Pikat”, e fshehu atë prej policisë. Kur viktima e panjohur u shërua, i riu Al kishte nisur tashmë punëra të vogla me kushëririn e tij. Në një zënkë në Coney Island, ai mori një të prerë në faqen e majtë, megjithatë ai insistonte gjithnjë se atë shenjë e kishte marrë gjatë shërbimit të tij në luftë inkuadruar në Batalionin e Humbur. Ka qenë ajo plagë në faqe që i dha atij më pas pseudonimin “Scareface” (njeriu me shenjë).
Më 1918, Capone njihet me një vajzë irlandeze me emrin Mary “Mae” Coughlin në një mbrëmje vallëzimi. Më 4 Dhjetor 1918, Mae lindi djalin e tyre, Albert “Sonny” Francis dhe në të njëjtin vit, 30 Dhjetor, Capone dhe Mae u martuan.
Më 1921, Capone shkon në Chicago si bodyguard për Johnny Torrio. Në këtë punë, ai u punësua nga Jim Colosimo, pronar i madh restorantesh e shtëpish publike. Ka qenë kjo kohë, që hapi një dritë jeshile për mafien e asaj kohe. Ndalimi me ligj i alkoolit në SHBA do të rriste kërkesën për pijet alkoolike. Grupet mafioze ishin gati që t’i përgjigjeshin kësaj kërkese në rritje dhe në të njëjtën kohë të rrëzonin rivalët. Capone e nisi biznesin me një shtëpi publike dhe ishte kjo koha kur nisi edhe rekordi i tij policor me një gjobë prej 50 dollarësh. Në 1923, Colosimo u vra dhe Torrio mori drejtimin e bizneseve të pijeve dhe të tjera. Ai e bëri Caponen ndihmësin e tij numër 1. Ishte koha kur kërcënimet dhe ballafaqimet mes bandave të anës jugore që komandoheshin nga Torrio dhe atyre të anës veriore nën komandën e Dion O’Banion kishin sjellë shumë frikë dhe probleme. Në 1924, O’Banion u vra pikërisht në dyqanin e tij të luleve. Pak muaj më vonë, Johnny Torrio, i sakatuar nga torturat, arrin të largohet nga duart e rivalëve dhe lë SHBA-në për të jetuar në Europë. Është pikërisht kjo koha që nxjerr Al Caponen në krye të bandës dhe menjëherë, ai nis programin e vet të ekspansionit. Në të njëjtën kohë, “Bugs” Moran, ndjekës i O’Banion pas vrasjes së këtij të fundit, u bë armiku më i betuar i Capones.
Me programin e ekspansionit që Capone po e zbatonte me mjeshtërinë e një biznesmeni, si në çdo biznes tjetër, qoftë të ligjshëm a të paligjshëm, vjen edhe prosperiteti. Capone tashmë zotëronte fshatin Cicero, jashtë qytetit të Chicagos, pikën ku kryqëzoheshin rrugët. Në këtë qytezë të vogël, ai ngriti parajsën e vet të lojërave të fatit dhe bixhozit dhe në të njëjtën kohë e shndërroi atë në një pikë qendrore të veseve. Në këtë kohë, ai nisi edhe garat e qenve. Ai e zhvilloi biznesin e pijeve në të gjitha drejtimet e kushdo që mundohej t’i zinte rrugën, ai e zhdukte pa mëshirë. Një shprehje e famshme e Capones ka qenë: “Është kontrabandë kur është ende në kamion, por kur i zoti i shtëpisë ta sjell me një tabaka të argjendtë, atëherë kjo quhet mikpritje”. Shumë shpejt Capone dhe grupi i tij kontrollonin pjesën më të madhe të biznesit të lojërave të fatit dhe bixhozit, bastet sidomos në garat me kuaj, prostitucionin, kontrabandën, biznesin e pijeve alkoolike. Ai arriti nga bizneset e tij të ardhura që arrinin në 100 milion dollarë amerikanë në vit. Një shumë jashtëzakonisht e madhe për fundin e viteve ’20.
Edhe pse Capone dha urdhër për dhjetëra vrasje, madje ai ka vrarë edhe me dorë të vet, ai i ka trajtuar njerëzit drejtë dhe me bujari. Ai është njohur për temperamentin e tij violent dhe njëkohësisht për një ndjenjë të fortë respekti dhe nderi. Capone ishte i pari që hapi një kuzhinë për të shpërndarë supë falas gjatë kohës së krizës ekonomike në vitin 1929, dhe njëkohësisht ai urdhëroi tregtarët që të jepnin veshje dhe ushqime atyre që kishin nevojë dhe për ato do të paguante ai.
Duke lënë pas atë qoshe të largët të karakterit të tij të butë, viti 1929 shënon edhe një ngjarje tjetër të famshme, për të cilën Al Capone ka mbetur në histori. Më 14 Shkurt 1929, ndodhi ajo që quhet Masakra e Ditës së Shën Valentinit, ku katër njerëz të Capones hynë në një garazh në 2122 N. Clark Street. Ndërtesa ishte baza kryesore e pijeve alkoolike për rivalin më të egër të Capones, kontrabandistin George “Bugs” Moran, shef i bandës së zonës veriore të qytetit. Koha kishte ardhur që, Al Capone të vendoste hegjemoninë, duke finalizuar programin e tij të ekspansionit. Meqë dy prej njerëzve të Capones ishin veshur policë, shtatë punonjësit e garazhit hodhën armët dhe mbështetën duart pas murit, duke menduar që ishte thjesht një kontroll i policisë. Duke përdor dy armë shotgun dhe dy automatikë, njerëzit e Caponës lëshuan 150 plumba kundër ushtarëve të rivalit të tij. Moran në fakt ishte objekti i vërtetë, por ai ndodhej në anën tjetër të rrugës e kur pa policë të hynin në garazhin e tij nuk lëvizi. Edhe në këtë rast, si në çdo rast tjetër, Al Capone kishte një alibi; ai ndodhej në Florida.
Alibitë e forta që personalisht ai kujdesej që t’i prodhonte, e bënë në atë kohë gati të pamundur që shteti të burgoste armikun e vet numër 1 për jetë, ndaj drejtësia nisi të lëvizte në një drejtim tjetër.
Në vitin 1931, Al Capone akuzohet për evazion fiskal gjatë viteve 1925-1929 dhe me mosdeklarim të të ardhurave në vitin 1928-1929. Qeveria deklaroi se, Capone i detyrohej shtetit një shumë prej $ 215 080.48 (dyqind e pesëmbëdhjetë mijë e tetëdhjetë dollarë e 48 cent) në taksa për biznesin e lojërave të fatit. Njëkohësisht u shtua edhe një akuzë e tretë për thyerje të ligjit, që ndalonte alkoolin gjatë viteve 1922-1931. Në fillim, Capone u vetdeklarua i fajshëm me shpresën se mund të arrinte një ujdi, ndërkohë që gjyqtari James H.Wilkerson deklaroi se, nuk pranonte që të binte në ujdi për ta lënë Caponen të lirë, duke paguar vetëm detyrimet financiare, që në fakt ishin një shumë qesharake për atë çka Capone posedonte. Në pamundësi për të arritur marrëveshjen, Capone e ndryshon vetdeklarimin në të pafajshëm dhe tenton që të blejë jurinë, por gjykatësi Wilkerson e ndryshoi jurinë në minutë të fundit. Si përfundim, Al Capone u deklarua i pafajshëm nga juria vetëm në tetëmbëdhjetë nga 23 akuzat e ngritura ndaj tij. Gjyqtari dha një dënim prej 10 vjetësh burg në një burg federal dhe një vit në një burg lokal. Gjobat arrinin shifrën $50 000 dhe një pagesë tjetër prej $7 692.29 për shpenzime të gjykimit.
Në maj 1932, atë e dërguan në Atlanta, një ndër burgjet federalë më të këqinj, por edhe këtu Capone arriti që të marrë kontrollin në dorë dhe të përfitojë privilegje të veçanta përmes pagesave të shumta dhe shumave të mëdha që ai përdorte. Për shkak të pëshpëritjeve që u përhapën, Al Capone u transferua në Alcatraz, burgu famëkeq në majë të shkëmbinjve. Atje sigurimi ishte më i fortë dhe koha e privilegjeve mori fund. Këtu ai u shndërrua në një të burgosur model dhe gjithnjë refuzoi që të merte pjesë në rebelimet e të burgosurve.
Meqë në Alcatraz ai shfaqi shenja të sifilizit, Al Capone i kaloi vitet që i kishin mbetur në një spital dhe është liruar në 16 Nëntor 1939, por ende kishte për të paguar gjobat dhe shpenzime gjyqi në një shumë të mbetur prej $37 617.51.
Pasi u lirua, ai kaloi disa kohë në spital e më pas shkoi të qetësohej në shtëpinë që kishte blerë kohë më parë në Palm Island, Florida. Sistemi nervor dhe sidomos truri po degradonin me shpejtësi për shkak të sifilizit, ndaj ai kurrë nuk u kthye në Cikago në mënyrë publike, pasi ishte i paaftë që të merrej me politikën e mafies. Në vitin 1946, mjeku i tij dhe një psikiatër nga Baltimora konkluduan se, Al Capone kishte mentalitetin e një fëmije 12-vjeçar dhe kjo vetëm nga dëmtimi i trurit. Al Capone banoi në Palm Island me gruan e tij dhe një rreth të ngushtë familjar deri sa vdiq nga pneumonia në 25 Janar 1947.

Comments

Popular posts from this blog

Si lindi loja e futbollit?

Nis ofensiva ndaj shqiptarëve në Angli pas thirrjes skandaloze të zv.ministres së Brendshme

Fatime Fetai ka një porosi të fuqishme për meshkujt