PROFIL/ Charlie Chaplin, jeta e një legjende
Edhe ata që nuk janë rritur me Charlie Chaplin dhe filmat e tij, e njohin endacakun. “Ai nuk ishte një yll Hollywood-i”, thotë ekspertja amerikane e Chaplin-it, Lisa Stein Haven, “sepse kur ai ishte një yll, Hollywood-i nuk ekzistonte.” Edhe sot mund të thuash që: Charlie Chaplin është shumë më tepër se sa një aktor. Ai është një legjendë.
Lindur në vitin 1989 (përafërsisht) në Londër, ai ndërroi jetë në Zvicër më 25 dhjetor 1977 – gjatë jetës ai përjetoi shumë suksese në kinematografi, por edhe shumë skandale. Charles Spencer Chaplin rridhte nga një familje e varfër dhe arriti të fitojë miliona në Hollywood. Filmi i tij “Etja për ar”(1925) tematizon pikërisht këtë kontradiktë: realiteti i trishtuar dhe ëndrra për ar e pasuri. Mustaqe të zeza, kapelja, bastuni dhe të ecurit si rosak me këpucët e mëdha – karakteristika të Charlie Chaplin këto që nuk i harron askush. Ashtu si edhe në filmin e tij të parë, me të cilin korri sukses të madh “Fëmija“ (1921) “endacaku“ ndërthurte në figurën e tij, humorin e shakanë me dëshpërimin e melankolinë. As sot e kësaj dite nuk ka figurë tjetër në historinë e kinematografisë, që të jetë kaq e pranishme sa Charlie Chaplin. Qoftë në reklama, në qendra tregtare, në pllakata, në fotografi apo në internet – figura e endacakut me tiparet tipike të aktorit Charlie Chaplin haset kudo dhe në çdo kohë. Chaplin u ka mbijetuar kohërave – ndonëse periudha e tij si regjisor i përket një të shkuare të largët.Jeta
Charles Chaplin ka lindur në 16 prill 1889 në një zonë të varfër të Londrës. Babai i tij ishte i dhënë pas muzikës hall dhe pas alkoolit, ndërsa nëna ka qenë një këngëtare e thjeshtë. Prindërit u ndanë një vit pas lindjes së Charles. Babai kërkoi që të merrte me vete vogëlushin Charles dhe vëllain e tij Sidney, katër vjeçar. Kjo tentativë dështoi dhe fëmijët qëndruar me nënën, por problemet ekonomike i detyruan vogëlushët, që fëmijërinë e tyre ta kalonin sa në një jetimore në tjetrën. I ati vdiq kur Charlie ishte 12 vjeç, ndërsa nëna pësoi një tronditje psikike dhe u shtrua në një spital psikiatrik ku dhe vdiq në vitin 1928.Këto ngjarje nuk e penguan Charlie të trashëgonte nga nëna pasionin për këngën dhe interpretimin, dhe kështu ai arrin suksesin si një rrufe. Në moshën 25 vjeçare krijon personazhin Charlot, që për pak kohë pushtoi tërë botën, por dhe ndikoi në karrierën e tij artistike. Që në moshën 5 vjeçare, Chaplin u përball për herë të parë me publikun. Nëna Hannah, aktore teatri, preferonte më mirë ta merrte në teatër kur interpretonte rolet e saj, sesa ta linte në shtëpi vetëm. Në atë kohë, nëna e tij punonte në teatrin e Aldershot në Londër, dhe në një lokal që ishte i frekuentuar vetëm nga ushtarët e zhurmshëm. Për fat të keq, Hannah vuante nga laringjiti dhe një mbrëmje, ndërsa ishte duke kënduar, papritur i zhduket zëri. Ushtarët filluan të hidhnin drejt saj objekte të ndryshme, duke i bërtitur asaj që të ikte. Hannah, tepër konfuze dhe tepër e nervozuar, largohet me lot në sy, ajo ishte hera e fundit që ajo u shfaq në skenë. Drejtori i teatrit, nuk u mendua shumë, mori vogëlushin Charlie për dore dhe e shoqëroi në skenë. Fëmija tepër i emocionuar fillon të këndojë një këngë popullore, të titulluar “Jack Jones”. Publiku e pëlqeu shumë dhe e mbuloi skenën në të cilën ndodhej ai plot me monedha. Charlie, para se të largohej nga skena, do t’u tregonte të gjithëve sesa para kishte mbledhur dhe kështu veproi. Midis së qeshurave të njerëzve, filloi kështu dalëngadalë karriera artistike e Charlie Chaplin në një teatër të humbur të Londrës. Hannah, pasi kishte braktisur teatrin, kërkonte të ecte përpara duke bërë punë të ndryshme me një makinë gatimi, dhe të rriste e vetme dy vogëlushët e saj Charles dhe Sydney që nuk ishte gjë e lehtë (baballarët e dy fëmijëve, e kishin braktisur). Sikur të mos mjaftonte kjo gjë, Hannah vuante nga një çekuilibër mendor dhe shtrimet në klinikat psikiatrike bëheshin gjithnjë e më të shpeshta. Derisa u largua përgjithmonë nga kjo jetë, Charlie dhe vëllai jetuan për një kohë të gjatë në jetimoren e vendit, ku vuanin braktisjen dhe vetminë. Më vonë, kur Chaplin u bë i pasur dhe i famshëm, disa e përshkruanin si një person tepër të trishtuar dhe të dëshpëruar. Në lidhje me këto komente, Charlie reagon në autobiografinë e tij: “Duhet ende të njoh një të varfër, që të ketë nostalgji për varfërinë…ose që të shoh lirinë. Unë nuk gjej asnjë lidhje tek pasuria, përkundrazi ndjehem tepër i lirë…”. I njohur për interpretim që në fëmijëri, Charlie ndjente se ishte i prirur për aktrim. Në autobiografinë e tij shkruan: “Kam provuar profesione të ndryshme…por gjatë kësaj periudhe kurrë nuk e kam humbur dëshirën për t’u bërë aktor “. Charlie u përpoq të mbante gjithnjë të gjallë këtë siguri që kishte në vetvete dhe që më pas i dha shumë mundësi për të ecur përpara. Nëna që ai e adhuronte aq shumë, ka pasur një rol tepër domethënës në formimin artistik të tij. Kujtonte se shpesh Hannah ulej me fëmijët e saj pranë dritares, duke shprehur komentet për njerëzit që kalonin. Ishte pikërisht kjo ndjeshmëri që e ndihmoi Charlie të arrinte të bënte për vete fansat e tij. Sekreti qëndronte në ndjenjat, që ishin të bashkuara me arsyen dhe besimin në vetvete: “Nuk besoj se mund të mësosh duke interpretuar. Kam parë persona inteligjent që kanë dështuar, si dhe individë të thjeshtë që kanë arritur rezultate të mirë. Për të interpretuar thelbësorja është ndjenja. Kur intelekti dhe ndjenja janë në të njëjtin ekuilibër, atëherë kemi të bëjmë me aktorin superlativ. Karakteristika thelbësore e aktorit të madh, është se duhet të pëlqehet kur interpreton. Duhet të ketë besim tek aftësitë e veta”.
Comments
Post a Comment